Shpurdhjakët e Partisë

Shpërndaje

Shkruan: Arbër Çeliku

Dinë gjithçka për armiqtë e saj, nga lëvizin, ku i parkojnë veturat, me kë shoqërohen, cilin e kanë mik në Facebook, kush u bën like dhe sa herë në muaj (statistika mbajnë për çdonjërin), sa e mbajnë numrin e këpucëve, sa kafe kanë konsumuar për një ditë, cilat janë ushqimet e tyre të preferuara, dhe kështu me radhë.

Çfarë ata nuk dinë është: Sa të paaftë janë ministrat e tyre, drejtorët, njerëzit që i rrethojnë, vetvetja.

Çështja kombëtare është mall tregtimi për ta, e shesin për një okë taxhi në pazar. Shpata dhe mburoja e Partisë janë pikërisht këta shpurdhjakët. Analfabetë me diploma e tituj shkencorë, që kënaqen me rolin e informatorit, se spiunë nuk i quan dot. Kryesorja, punë kurrë të mos kapin me dorë.

Jeta e tjetrit ka rëndësi për ta. Është burim energjie, forcë, elan, jetë. Sa keq që tani fundi po afron! Perdja po bie. Dritat ndizen. Duartrokitjet nuk dëgjohen më aspak.

Gjenerata e djalit tim as emrin nuk ua di. Në sytë e tyre ata janë veç hije. Një grup shpurdhjakësh mjeranë. Sa i lumtur që jam!

Jo për vete, por për tim bir dhe të tillët si ai. Unë u dogja, por nuk dua të digjen edhe ata.

Sa shumë nevojë kam sot ta dëgjoj një sonatë për një njeri të mirë!

Ma tregoni, nëse njihni një të tillë!