Ujin e turbullt që propaganda i çon symbyllur ta pinë shqiptarët

Shpërndaje

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Shqiptarët në Maqedoni nuk duhet t’i preokupojë shumë çështja e bashkimit, apo mos bashkimit të partive të opozitës, por pastrimi i skenës politike nga politikanët e korruptuar, të dyshuar për krime dhe të kapur nga pushteti, përmes aferave të korrupsionit dhe krimeve.

Shqiptarët kanë nevojë ta lirojnë lëvizjen politike dhe kombëtare nga ndikimet e huaja dhe kontrolli nga pushteti, nga rrjetet e agjenturave të huaja, nëntoka kriminale, fondet e zeza të shërbimeve sekrete, fondacionet për zhvillimin e propagandës dhe veprimtarisë armiqësore në trojet etnike shqiptare.

Shqiptarët duhet ta kuptojnë përfundimisht mashtrimin; nuk ka rëndësi nëse propaganda dhe fatkeqësia ndaj tyre vijnë nga disa pozicione, apo nga një front i përbashkët kundërshtar, por lëvizja politike dhe kombëtare e shqiptarëve të riorientohet, nga rruga e mbrapshtë kundër interesave të tyre, në rrugë të mbarë kundër të keqes, vrasësve të lirisë dhe penguesve të progresit të shqiptarëve, në Maqedoni dhe jo vetëm.