Vatrat tona

Shpërndaje

Nga Altrim Mamuti

Këta, që ua besuam vatanin dikur, e që më pas ua besuam edhe jetët, këta…
Tranzicioni i periudhës së pas komunizmit në vendin tonë është karakterizuar me migrime të mëdha të popullsisë. Fillimisht me dhunë nga sistemi i asaj kohe, e që si zakonisht gjithnjë shqiptarët ishin viktimë e kësaj katrahure, më vonë mbase edhe me vetë dëshirë, por pa harruar këtu të sqarojmë çështjen e vetë dëshirës, së ka qenë e imponuar, për t`iu larguar të keqes. Kësisoj, dita ditës numri i shqiptarëve në që migronin sa në Turqi dhe Evropë, po shtohej. Vendi disi filloi të plaket, sepse në këto troje, mbetën vetëm burra e gra të moshës së thyer që nuk kishin as ndihmën më të vogël nga ata që i rritën me aq sakrificë, dhe që sistemi i asaj kohe i detyroi të iknin.

Viteve të fundit, ka filluar disi të ndjehet sërish kjo “aromë” e keqe e migrimit masiv të popullatës. Gjithnjë e më shumë, vendi po zbrazet. Gjithnjë e më e dhimbshme bëhet pamja e klasave nëpër shkolla, nga tkurja e numrit të nxënësve. Ende më e dhimbshme është se, migrimi i tanishëm që po shkreton këto vise, po ndodh nga vetë ne, ose më qartë ta them, nga ata që i zgjodhëm vetë ne, e të cilët, ashtu sikurse në periudhën e komunizmit, na detyrojnë të ikim nga vatrat tona, që me aq mund i ngrohëm. Na detyrojnë të largohemi nga familja, nga gjëja më e shenjtë që kemi.
Shpesh mendohem, a thua periudha e komunizmit ishte më e keqja, apo kjo e “demokracisë” që as “D” nuk e ka nga demokracia. Nga këta njerëz që iu besuam vatanin, e ata na kthyen me helmim të rinisë, me largim të saj nga vendi i vetë, me mbyllje të shtëpive, apo me prindër që kanë vdekur e që me ditë të tëra nuk varrosen, sepse presin t`iu vijnë fëmijët nga mërgimi, që ti nxjerrin nga spitali, për ti dërguar për në botën e Hadit. Dhe që fatkeqësia jonë të jetë edhe më e keqe, këta që ua besuam vatanin, që ua dhamë besimin, kanë bërë që, për dallim prej sistemit monist kur iknin duke bërë edhe ndonjë vepër për këtë popull, apo duke bërë diç për këtë popull edhe nga mërgimi, tani po ikin heshtazi, kokë ulur, sikur duan të thoin se vetes, vetë ia bëmë këtë gjëmë.

Kemi arritur në një shkallë kur fëmijët tanë refuzojnë të frekuentojnë shkollat, sepse po mbeten pa shokë, rrinë gjithë ditën në shtëpi sepse lagja, që dikur ishte aq e zëshme, tani është bërë e vdekur, dhe nuk ka fëmijë që lozin pranë. Kemi arritur në një shkallë, kur, duhet të lajmërojmë komshiun që t`i sheh prindërit nëse janë mirë e iu duhet diçka, sepse, ne s`jemi pranë tyre më, sepse, këta që ua besuam vatanin, që ua dhamë besimin, na prenë në besë dhe na dëbuan duke qeshur nga trojet tona. Na detyruan ta lëmë pragun tonë, e përse??? Për të siguruar kafshatën e gojës, për të siguruar shkollimin e fëmijëve tanë, për të siguruar shëndetin apo një krevat në spital pa u brengosur se dikush do i helmojë nga mungesa e dijes. Sa pa vlerë na keni bërë , Po po, pa vlerë, sepse ne këtyre që na sollën në këtë gjendje, për dekada me radhë ua besuam jetët tona, shëndetin tonë, dijen tonë, rrugën tonë, nderin tonë, dhe KOMBIN tonë, që na e shitën e copëtuan pa pikë turpi.