Zhduket pa asnjë gjurmë prej 6 ditësh atleti i njohur shkodran që solli ndryshimin e madh për shqiptarët në Mal të Zi

Shpërndaje

Atleti shqiptar pas gjestit të të cilit “lëvizi” qeveria e Malit të Zi duke miratuar ligjin për simbolet kombëtare, e që i hapi rrugë përdorimit të flamurit shqiptar lirshëm, është zhdukur pa asnjë gjurmë prej 6 ditësh. Irfan Domnori prej datës 26 dhjetor nuk ka asnjë kontakt me familjarët dhe miqtë e tij, ndërsa në banesën e tij në Shkodër nuk ndodhet as biçikleta me të cilën ai udhëton. Djali i tij ka bërë denoncimin në Policinë e Shkodrës më 29 dhjetor, ndërsa ditën e enjte, më 2 janar, do të jetë së bashku me avokatin për të marrë përgjigje zyrtare nga blutë e qytetit të Shkodrës për fatin e babait të tij. Jo zyrtarisht nga një punonjës i policisë djalit i është thënë se Irfan Domnori ndodhet në burg në Mal të Zi, por nga një telefonatë që ai ka bërë me një mikun e tij efektiv policie në kufi, sërish komunikim jo zyrtar, i është thënë se dalja e fundit nga Hani i Hotit ose Muriqani është 16 nëntori.

Të gjitha këto detaje, së bashku me thirrjen për të kërkuar të vërtetën, i bën të ditur ekskluzivisht për Shqiptarja.com Elida Jorgoni, mike e Irfan Domnorit, që i bashkon ndenja e atdhetarizmit. Në nëntor, Irfani u dënua me 300 euro gjobë nga autoritetet malazeze dhe u dëbua për një muaj nga Mali i Zi pasi ngriti flamurin shqiptar në Ditën simbolike të Gështenjës në Krajë, gjest që solli edhe miratimin e ligjit në Kuvendin malazez. Në një komunikim me Shqiptarja.com, Elida Jorgoni, thotë se e ka takuar për herë të fundit Irfanin më 26 dhjetor në Shkodër. Aty Irfani i ka shprehur dëshirën e tij për të qenë në Ulqin për një ekspozitë, por se kishte frikë të udhëtonte me biçikletë nga rreziku i ndonjë aksidenti në rrugë. Nga ai moment e deri më sot, telefoni i tij rezulton i fikur. Siç tregon Elida Jorgoni, Irfan Domnori nuk kishte bërë asnjë njoftim në punë për mungesa.

“Irfani shkoi në Mal të Zi për festën e Gështenjës më 16 nëntor, dhe kur mbaroi festa po vinte në Shkodër. Gjatë rrugës, para doganës e ndali makina e policisë dhe e futën brenda dhe ja morën gjobën padrejtësisht kur ky nuk kishte as avokat me vete. Erdhi në Shqipëri dhe i mbaroi afati 1 mujor, më 16 dhjetor. Unë me datë 26 isha në Shkodër dhe isha me të për një aktivitet dhe ai tha që dua të shkoj në Ulqin për një ekspozitë të fotografisë. Por është pasdite tha dhe e kam problem për t’u kthyer sepse nuk fle dot në hotel, dua të fle gjithmonë në shtëpinë time. Dhe po kërkoj një shokë të shkoj me makinë, të vemi e të vimë. Kam shkuar edhe me biçikletë por më kanë thënë të mos shkoj me biçikletë, se mund të më godasë ndonjë makinë vetëm nëpër rrugë jashtë qytetit se jam i pambrojtur. Ai është elektricist në zyrën e telefonatave me turne që pret telefonata për defektet në të gjithë rajonin e Shkodrës. Unë mendoj se ai nuk do të shkonte vetëm me biçikletë, se më tha se nuk shkoj. Nuk e në atë orë çfarë ka bërë, ka biseduar me ndonjë mik, e ka ndalur policia gjatë rrugës duke gjetur një pretekst. Unë e telefonova, ra dy herë zilja, dhe një dorë e mbylli. Unë kisha bërë tre ditë telefonata rresht dhe dilte mbyllur. Unë e kam mik Facebook-u, atdhetar. Pasdite u ktheva desha ta pyesja për një aktivitet të arbëresheve, dhe prandaj e telefonova. E mora në orën 4 pasdite më datë 27, nuk mu hap telefoni, dhe u çudita dhe e mora herë pas herë natë e ditë, deri në datë 30. Më datë 29 mora në punë, pyeta kur vjen Irfani, më thanë në datë 30, e më tej mësova që nuk kishte shkuar as në punë. Irfani është i divorcuar, dhe djali kishte kohë pa folur me të. Shkuam me djalin në shtëpinë e tij në Shkodër, dera ishte mbyllur me çelës, u futëm dhe kontrolluam gjithandej, nuk kishte asnjë shenjë, por nuk ishte as biçikleta. Pra ai ka dalë bashkë me biçikletën”, thotë Jorgoni për Shqiptarja.com.

Ajo shprehet se menjëherë pasi kanë kontrolluar në shtëpi kanë shkuar në policinë e Shkodrës pasditen e 29 dhjetorit ku kanë bërë denoncimin. Por përgjigjja që kanë marrë aty i ka vënë edhe më shumë në dilemë për fatin e të afërmit të tyre.

“Pardje shkuam në polici që bëmë denoncimin zyrtar. Polici thoshte është gjallë, është atje por nuk na tregonte vendin. Duhet avokati të marrë përgjigje zyrtare. Djali mori në telefon një shokun e tij që i tha kontrollo doganën ka hyrë apo ka dalë, ai tha jo, hyrja e fundit është 16 nëntori. Por edhe kjo nuk është zyrtare, është me telefon. Djali i Irfanit nesër do marrë një avokat dhe do të shkojë në Shkodër sepse i thanë që nuk mund të japin të dhëna zyrtare me telefon. Me telefon punonjësi i policisë, të cilit nuk i besojmë, na tha që është në burg në Mal të ZI por nuk e di se ku”, tregon zonja Jorgoni.

Ajo thotë se shpreson që atleti i njohur shqiptar më mirë të jetë në burg në Mal të Zi, pasi frikësohet nga ndonjë skenar tjetër që mund t’i rrezikojë atij jetën, siç mund të jetë pengmarrja, apo edhe më keq akoma, vr*asja.

“Unë gëzohem që ai të jetë në burg që të jetë gjallë, se unë kam frikë mos e kanë marrë peng, e kanë vr*arë andej, larg qoftë, nga Shkodra. Më mirë të jetë në burg andej se e dimë që është i mbrojtur, apo të dimë nëse është këtej i marrë peng”, shprehet ajo.

Apeli i bashkëatdhetares së atletit shkon për shtetin shqiptar.

“Duam që qeveria të marrë masat përmes ambasadës përmes pikave doganore që të vërtetohet kaloi në Muriqan apo në Hanin e Hotit”, përfundon ajo, teksa thotë edhe një detaj se i ka dorëzuar pesonalisht me postë nënkryetarit shqiptar të Parlamentit malazez, 5 letrat e gjyqit të parë kundër Irfan Domnorit për gjobitjen pas ngritjes së flamurit shqiptar, sensibilizim i cili sipas saj, bëri që ato ditë, më datë 28 të aprovohet ligji që lejon përdorimin lirshëm të flamurit shqiptar.

“Unë prej vitesh marr pjesë me fustanellë kombëtare dhe flamur në të gjitha shtetet fqinje dhe askush nuk më ka penalizuar. Jam i zhgënjyer nga mosreagimi i shtetit shqiptar për këtë incident. S’kam pse të dënohem. Kjo është veshja jonë e mrekullueshme që bota nuk e ka”, shprehej Irfan Domnori për mediat pasi u kthye në Shqipëri pas incidentit në Malin e Zi.

Damnori është një prej figurave të shquara të sportit në qytetin e Shkodrës.

Irfan Domnori u bë i njohur disa vite më parë pasi pas një aksidenti mjekët shqiptarë dhe ato të Malit të Zi i thanë se do ta kalonte pjesën tjetër të jetës në një karrige me rrota. Ai jo vetëm që u shërua nga ky problem shëndetësor, por sot është një sportist profesionist që merr pjesë rregullisht në garat e vrapimit. Në çdo garë, Domnori ka uniformën e tij tradicionale, veshje kombëtare, plisin dhe flamurin kuqezi./SHQIPTARJA.COM/