Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, shqipja në harresë

Shpërndaje

Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës amtare, nuk gjen zbatim Ligji për përdorimin e gjuhëve i cili avancon përdorimin e shqipes në institucione. Kreu i Agjencisë për Zbatimin e gjuhëve, Ylber Sela thotë se zbatimi i Ligjit mbetet sfidë për të ardhmen, duke kritikuar mediat dhe institucionet shtetërore të cilat e anashkalojnë shqipen.

Qeveria duhet të jetë promotor i zhvillimit të një shoqërie multi-etnike dhe multi-gjuhësore. Të gjithë duhet të kemi përgjegjësi dhe të jemi të kujdesshëm që të mos lejojmë elemente siç po i shohim edhe sot, psh në të gjitha tabelat e televizioneve kemi vetëm gjuhën maqedonase dhe kjo normalisht që çon drejt ndarjeve, stereotipeve të cilat po i shohim çdo ditë. Unë si drejtor i Agjencisë çdo ditë marrë ankesa nga qytetarët. Ende kemi ministri të cilat ende nuk e kanë zbatuar fazën e parë të përdorimit të gjuhëve- deklaroi Ylber Sela, Drejtor i Agjencisë për Gjuhët.

Ministri për Sistem Politik, Sadulla Duraku theksoi nevojën për zbatimin e plotë të ligjit të miratuar një vit më parë, me të cilën sipas tij, zyrtarizohet shqipja. Por tha se kjo varet nga vullneti dhe jo sanksionet e parashikuara në rast mos-zbatimi.

Përveç sanksioneve ligjore implementimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve në masë të madhe varet edhe nga vullneti dhe vetëdija e qytetarëve për zbatimin e saj. Sfidat e shumta të cilat na dalin përpara në këtë proces duhet të mundohemi të gjithë bashkërisht t’i tejkalojmë- tha Sadulla Duraku, Ministër për Sistem Politik.

Ndonëse ishte parashikuar që një vit pas hyrjes në fuqi, të gjitha institucionet të miratonin aktet nënligjore për zbatimin e ligjit dhe gjoba në rast të mos-zbatimit, një gjë e tillë ende nuk është bërë. Anashkalimi i shqipes dhe bastardimi i së njëjtës vazhdon të mbetet evidente. Për të njëjtat, TV Alsat raporton vazhdimisht./ALSAT/