Konfirmohet rasti i parë me koronavirus në vend (Video)

Shpërndaje

Konfirmohet rasti i parë i infektuar me koronavirus në vend. Bëhet fjalë për një paciente, e lindur në vitin 1970 në Shkup, e cila një periudhë të caktuar ka qëndruar në Itali.

Këtë e kumtoi sot ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, në konferencën e përbashkët në Qeveri, në të cilën ishin të pranishëm edhe kryeministri Oliver Spasovski dhe dr. Zharko Karaxhoski nga Instituti i Shëndetit Publik.

“Nuk ka hapësirë për panik, pacientja është vendosur në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në repartin e izolimit, gjendja e saj trajtohet në mënyrë adekuate. Analizat epidemiologjike tregojnë se ajo kishte qenë në Itali për një muaj në vizitë te të afërmit. Tashmë dy javë është e sëmurë dhe është testuar në një institucion shëndetësor në Itali, menjëherë pas hyrjes në vendin tonë është drejtuar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup. Inkubacioni ka mbaruar dhe në momentin e transportit ajo nuk ka paraqitur rrezik për të transmetuar sëmundjen”, tha Filipce.

Kryeministri Spasovski dhe dr. Karaxhovski dërguan tone qetësuese, duke cekur se nuk ka shkak, e as hapësirë për panik.

“Një person pozitiv nuk paraqet rrezik për popullatën. Shërbimet mjekësore janë 24/7 të përgatitura të veprojnë dhe për vetëm gjysmë ore mund të formojnë ekip. Qytetarët mund të jenë të qetë, sepse asgjë nuk na befasoi”, përmendi dr. Karaxhovski.

Sipas kryeministrit Spasovski, situata është nën kontroll, pacientja me koronavirus është trajtuar në pajtim me të gjitha rekomandimet.

“Institucionet janë të përgatitura të reagojnë menjëherë, U bëj thirrje qytetarëve tërësisht t’u përmbahen rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë. Në këtë moment është shumë me rëndësi vetëdija tek të gjithë të jetë në nivel të lartë, posaçërisht në raport me rekomandimet, por edhe lidhur me sjelljen përgjegjëse”, tha Spasovski, duke theksuar që të mos ketë sjellje të papërgjegjshme, posaçërisht në rrjetet sociale.

Ministri Filipçe paralajmëroi konferencë të re për shtyp në orën 20:00 ku do të kumtohen më shumë hollësi.

Paraprakisht gjatë ditës së sotme ministri Filipçe tha se rast me koronavirus nga rajoni ka në Kroaci, ndërsa sot është konfirmuar rasti i parë edhe në Greqi. Në Shqipëri koronavirus, siç tha Filipçe, ende nuk ka, ndërsa në Kosovë priten informacione./MIA