Kryetari Xhaferi ndërpret seancën, sekretari i LSDM-së paralajmëron mundësinë e krijimit të shumicës së re parlamentare

Shpërndaje

Edhe pse filloi seanca e 135 e Kuvendit ku në rend dite si pikë e parë është Ligji për Prokurorinë Publike, kreu i Kuvendit Talat Xhaferi seancën e ndërpreu dhe vazhdimin e saj e caktoi për nesër më mesditë. Kjo pasi për diskutim janë paraqitur më shumë se 30 deputetë.

Kryetari Talat Xhaferi ishte i revoltuar nga publikimi i sekretarit të përgjithshëm të LSDM-së Lupço Nikollovski në rrjetin social Fejsbuk. Nikollovski shkruan se ekziston mundësi reale që partia e tij të krijojë një shumicë të re parlamentare nëse Kuvendi, sipas tij, taktizon me këtë ligj, dhe disa ligje të tjera.

Postimi i Sekretarit të përgjithshëm i LSDM-së, Lupço Nikolovski në facebook:

Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së Lupço Nikolovski përmes një statusi të fundit në facebook është shprehur se partia e tij shqyrton mundësinë e krijimit një shumice të re parlamentare nëse vazhdojnë taktizimet e fundit në kuvend me ligjet e rëndësishme.

“Nëse Kuvendi vazhdon të taktizojë dhe nëse parandalohet në ndonjë mënyrë votimi për ligje të rëndësishme, e në veçanti Ligji për Prokurorinë Publike, Kodi Zgjedhor, Ligji për Mbrojtjen, shkarkimi i Mizrahit … atëherë ekziston një mundësi reale për ne të krijojmë një shumicë të re parlamentare, dhe më pas një qeveri të re e të qëndrueshme që do të organizojë zgjedhje të rregullta parlamentare. Maqedonia Veriore nuk do të mbahet peng i interesave partiake dhe kriminale, sundimi i ligjit dhe e ardhmja europiane janë përparësia e qytetarëve dhe ne do të luftojmë deri në atomin e fundit”, ka shkruar mes tjerave Nikolovski.