Kurti kerkon llogari: Nënshkruesit e marrëveshjes së Munihut me Serbine, nuk ishin të autorizuar

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të premten se çdo proces që u paraprinë marrëveshjeve si ajo e së premtes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që u nënshkrua në Munih, duhet të jetë transparent, rezultat i një negocimi të mirëfilltë dhe në respektim të plotë të sovranitetit dhe ligjeve të Kosovës.

Në reagimin e tij të postuar në rrjetin facebook, kryeministri Kurti shkroi se “sot në Berlin janë nënshkruar dy marrëveshje nga zyrtarë të autorizuar nga ish ministri Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të Qeverisë sonë. Së këndejmi, këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje. Për më tepër as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë”.

Ai thekson në postim se “sado që të gjitha lidhjet dhe avancimi i standardeve të infrastrukturës janë të domosdoshme për zhvillim të vendeve tona dhe pjesë e vizionit Evropian për bashkëpunim rajonal dhe marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, megjithatë është shumë me rëndësi që procesi të jetë transparent, rezultat i një negocimi të mirëfilltë dhe në respektim të plotë të sovranitetit dhe ligjeve të vendit, prioriteteve ekonomike dhe në harmoni me obligimet që dalin nga procesi i MSA-së”, shkroi ai duke nënvizuar se “në procesin e tranzicionit të qeverisjes, ne jemi duke analizuar të gjithë hapat që janë marrë në të kaluarën dhe ministritë përkatëse janë të angazhuara që këtë ta trajtojnë me prioritet”.

Të premten paradite, në Munih u nënshkrua një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për linjën hekurudhore dhe autostradën që lidhë të dyja vendet. Marrëveshja u ndërmjetësua nga i dërguari i posaçëm amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell dhe nënshkrimi i saj u bë në prani të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Të dy presidentët e vlerësuan me rëndësi marrëveshjen e cila pasoi një të tillë për linjën ajrore ndarjet Prishtinës dhe Beogradit, të nënshkruar muajin e kaluar.

Kryeministri Kurti, i cili ndodhet në Munih ku po merr pjesë në Konferencën për Siguri, reagoi disa orë pas nënshkrimit, ndërsa gjatë ditës zyrtarë të koalicionit qeverisës nga radhët e Lidhjes Demokratike e mbështetën marrëveshjen.

Ministri i Brendshëm, Agim Veliu shkroi në rrjetin facebook se “roli kyç i SHBA-së në dialogun e Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm. Çdo marrëveshje e arritur, e cila çon në normalizim të raporteve mes dy shteteve dhe në njohje reciproke është e mirëpritur. Letra e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, z. Pompeu dhe angazhimi i Ambasadorit Grenell janë tepër të qarta”, shkroi ai.

Të enjten sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i shkroi letër urimi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në të cilën thekson se është koha për vendosjen e marrëdhënieve normale me Serbinë që kanë në qendër njohjen e ndërsjellë, ndërsa kërkoi heqjen e tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Kërkesa për heqjen e tarifave u ritheksua edhe gjatë punimeve të Konferencës së Sigurisë në Munih, gjatë së cilës shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell mblodhi përfaqësuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Bisedimet Beograd – Prishtinë janë zgjidhja e vetme”, shkroi ai në rrjetet sociale duke theksuar se “bisedimet duhet të fillojnë sa më parë që është e mundur”.

Bisedimet janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018, kur qeveria e Kosovës vendosi tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve për normalizim marrëdhëniesh me Kosovës me heqjen e këtyre tarifave.

Qeveria e re e zotit Kurti është zotuar ta bëj një gjë të tillë, por duke kushtëzuar heqjen e tarifave me vendosjen e masave të reciprocitetit të plotë më Serbinë. Zoti Kurti e ka shprehur këtë synim edhe një panel në kuadër të konferencës së Munihut ku ishte i pranishëm edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cili tha më pas se “pati shkëmbime të rrepta” me kryeministrin Kurti. Debati është zhvilluar me dyer të mbyllura.