Kurti: “Ne kurrë nuk i harrojmë, dhe do t’i kultivojmë idealet e Monit dhe Arbenit, idealet tona të përbashkëta”

Shpërndaje

“Me datë 10 shkurt, 2007, protestuam me të drejtë ato vendime që atëherë u pranuan kollaj nga politikanët dritëshkurtër e që sot po i kushtojnë shumë Kosovës e ia kanë gjymtuar shtetit sovranitetin e demokracinë. Ne po përpiqemi ta ndreqim, por korrigjimi e rregullimi marrin shumë më tepër kohë sesa dëmtimi e rrënimi”, tha kryeministri Kurti, i cili kujtoi se ky është përkujtimi i parë i 10 shkurtit pa mësuesen e dashur Resmije Kadri Xheladinin – nënën e Arbenit, dhe pa aktivistin i cili humbi një sy përgjatë asaj proteste, e që u nda javë më parë nga jeta, Hysni Hyseni – Doda. Kryeministri Kurti tha se ende mungon drejtësia për Monin dhe Arbenin, andaj UNMIK-u duhet të kthejë përgjigje në opinionin e Panelit Këshillues për të drejta të njeriut të UNMIK-ut, sipas të cilit policia ka pasur faj sa i përket vr*asjes së demonstruesve paqësorë. “Ne kurrë nuk i harrojmë, dhe do t’i kultivojmë idealet e Monit dhe Arbenit, idealet tona të përbashkëta. Lavdi Monit, Arbenit dhe gjithë dëshmorëve të kombit”, tha ai në fund të fjalës së tij, para shtatores që përkujton vendin e rënies së tyre në sheshin e Republikës. Paradite, Kryeministri së bashku me ministra, deputetë, anëtarë të kryesisë dhe aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka bërë homazhe te varri i Arben Xheladinit në Prishtinë, dhe te ai i Mon Balaj në Besianë.