Ministri i Punëve të Brendshme flet për arrestimin e udhëheqësit të Krimeve Ekonomike në Prishtinë

Shpërndaje

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka komentuar arrestimin e udhëheqësit të Krimeve Ekonomike në Prishtinë, Lavdim Osmanit.

Ai për Gazetën Insajderi, ka thënë se nuk beson që kjo është punë e momentit por është diçka që është punuar një kohë të gjatë për atë.

“Ajo është punë e organeve dhe mekanizmave që e luftojnë krimin e korrupsionin për çdo ditë. Është punë e tyre, nuk besoj se kjo është punë e momentit por është diçka që është punuar një kohë të gjatë në atë drejtim”, ka thënë shkurt ai për Insajderin.

Ndërkohë, që sonte Inspektorati Policor i Kosovës, ka kryer një aksion-arrestimi dhe në pranga ka përfunduar Lavdim Osmani, udhëheqës i Krimeve Ekonomike në Prishtinë.

Insajderi mëson se drejtuesi i Krimeve Ekonomike ka qenë udhëheqësi i një grupi policësh të cilët dyshohet se u kanë vënë haraç bizneseve. Osmani dyshohet se ka hetuar shumë kompani, për t’ua mbyllur më pas rastet vetëm në këmbim të parave.

Arrestimin e tij e kanë konfirmuar edhe nga Inspektorati i Policisë së Kosovës, dhe për Gazetën Insajderi, kanë deklaruar se aksioni është në vazhdim e sipër.

Po ashtu, Gazeta Insajderi, merr vesh se Lavdim Osmani është djali i tezës së drejtorit të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Bashkim Spahiu.

Spahiu, për Gazetën Insajderi, nuk ka dashur ta komentojë arrestimin e gjithashtu nuk e ka mohuar se kështu që Osmanin e ka apo jo djalë të tezës.

Kliko VIDEO