Triumfi i padrejtësisë

Shpërndaje

Nga, Prof. Arbër Çeliku

Koncepcioni sociologjik evropian, në Lindje u ngordh me ideologjinë e quajtur komunizëm. Ky sistem u ngrit në bazë të iluzionit, gënjeshtrës dhe mashtrimit. Në vend që të mbizotëronte drejtësia, ashtu siç dhe propagandohej, padrejtësia u bë strumbullari politik i këtij sistemi. Padrejtësia sociale, etnike dhe fetare ishin më të egrat në korpusin e madh të padrejtësisë sistemore të komunizmit. U tentua të manipulohet e drejta natyrore, prandaj dhe kollapsi qe i pashmangshëm.

Vendet vizionare, siç ishin Polonia, Çekia, Lituania, Letonia, Gjermania Lindore, etj., vendosën të mos e ndjekin trashëgiminë falco gjysmëshekullore dhe ngritën shpejt sistemin e vlerave, gjë që në këto vende sot as nuk vërehen më gjurmët e këtij sistemi të çoroditur. Këto vende, gjënë e parë që bënë, dekompozuan iluzionin, demaskuan figurat e shpërfytyrimit shoqëror, në veçanti, spiunët, ngritën drejtësinë dhe vunë bazat e shëndosha të arsimit, kulturës, shkencës dhe teknologjisë.

Vendet tona nuk e gjetën dot forcën ta bënin këtë përmbysje. Spiunët, iluzionistët, mashtruesit, për më tepër, e vazhduan edhe më fuqishëm se në komunizëm rrugëtimin drejt shkatërrimit përfundimtar. Të gjithë jemi dëshmitar sot se si në vendin tonë, sa vjen e më shumë, po triumfon padrejtësia. Diskursi i figurave politike (spiunë, iluzionistë, mashtrues) konsiston në demagogji boshe, perderisa shtyllat kryesore të shoqërisë (arsimi, kultura, shkenca dhe teknologjia) po shkërmoqen para syve tanë. Sidomos, sistemi i drejtësisë u katapulkua dhe kompromentua aq keq, sa do të duhet edhe shumë kohë që të vendosen bazat minimale të besimit qytetar.

Komunizmi veç një gjë kishte më shumë, turpin kolektiv. Budallallëqet nuk i promovonte kësisoj siç po ndodh me ne sot.