Federer: “Shumë shpejt do të tërhiqem përfundimisht nga tenisi”

Shpërndaje

Roger Federer pranon se është shumë pranë tërheqjes nga sporti i tenisit. Vitet kalojnë me shpejtësi dhe pas një muaji, më saktë në 8 gusht fituesi i 20 trofeve Slam do të festojë 39-vjetorin, megjithatë pavarësisht moshës veterani zviceran vazhdon të mbahet mirë në aspektin fizik.

Tenisti helvet shpjegoi së fundmi se momenti i tërheqjes është pranë dhe shumë shpejt do të largohet përfundimisht nga ky sport, megjithatë Federeri pranoi se i mungojnë së tepërmi ndeshjet dhe aktivitetet e ndryshme tenistike.

Veterani nga Bazeli është i vetëdijshëm për vështirësitë që paraqet pjesëmarrja nëpër aktivitete të ndryshme në një moshë të tillë, për më tepër kompetitiviteti është shtuar ndjeshëm dhe përveç rivalitetit me dyshen Nadal – Djokoviç tani do të jetë shumë e vështirë për t’u matur vazhdimisht me emra të tillë si: Dominic Thiem, Daniil Medvedev, Stefanos Tsitsipas, Alexander Zverev, Grigor Dimitrov, Kei Nishikori, Milos Raonic apo Nick Kyrgios, në një kohë kur janë rritur ndjeshëm si nivel dhe janë përmirësuar vërtet shumë edhe tenistë të tillë si Matteo Berrettini, Felix Auger – Aliassime, Borna Coric, Andrey Rublev, Karen Khachanov, Denis Shapovalov apo dhe 18-vjecari italian Jannik Sinner.

Veterani zviceran aktualisht pozicionohet në vendin e katërt në klasifikimin e përgjithshëm ATP, në kuotën e 6.630 pikëve, 415 pikë poshtë austriakut Dominic Thiem dhe me 740 pikë më tepër se tenisti moskovit Daniil Medvedev. Mbetet për t’u parë se çfarë pasojash ka lënë virusi COVID-19 për të gjithë, por sidoqoftë deri në momentin e ndërprerjes së aktiviteteve për shkak të pandemisë së koronavirusit mund të thuhet me plot gojën se tenisti më në formë ishte padyshim Novak Djokovic.

Përveçse numri 1 i botës Nole është edhe tenisti që ka triumfuar në 5 nga 7 turnetë e fundit Slam, ndërsa dy turnetë e tjerë janë fituar sezonin e kaluar nga spanjolli Rafael Nadal, në Roland Garros dhe US Open. Federeri e pranon se dita për të varur raketën në gozhdë po afrohet me shpejtësi, megjithatë në krahun tjetër Roger po punon fort për t’u rikthyer sa më shpejt që të jetë e mundur në fushën e lojës, duke parë që nuk i ka mbetur edhe shumë kohë në dispozicion.

Tenisti zviceran më në fund ka gjetur strategjinë e duhur për të mposhtur rivalin e tij të përjteshëm Rafael Nadal dhe Federeri madje ka fituar 5 nga 6 sfidat e fundit me tenistin e famshëm iberik, ndërsa me Djokovic-in Roger ka humbur 6 nga 7 përballjet e fundit, ku përfshihet takimi gjysmëfinal i edicionit të sivjetshëm në Australian Open, si dhe finalja e madhe e sezonit të kaluar në Wimbledon, ku ndonëse 6 vjet më i madh tenisti helvet ishte vërtet shumë pranë suksesit dhe shpërdoroi dy mundësi për të siguruar trofeun më të vjetër e njëherësh edhe më të lakmuar të këtij sporti.

Nëse do të kishte fituar atë takim Federeri në moshën pothuajse 38-vjeçare do të griste çdo rekord të mundshëm dhe do të shkëputej në +5 nga Nole dhe do të kishte 2 tituj Slam më shumë se sa “mbreti i fushave me dhe” Rafael Nadal. Roger ka fituar 103 turne gjithsej në karrierën e tij si profesionist, 18 më shumë se Rafa dhe 24 më tepër se Nole dhe në mënyrë të kuptueshme në këtë drejtim pozicioni i tij do të mbetet paprekshëm, pasi vitet kalojnë gjithashtu edhe për dyshen Nadal – Djokovic, madje si Rafa ashtu edhe Nole kanë filluar të reduktojnë ndjeshëm numrin e turneve ku marrin pjesë gjatë një viti kalendarik.

Babai i tenistit të famshëm serb Srdjan Djokovic vetëm pak kohë më parë deklaroi se Federeri vazhdon të luajë thjesht nga frika se do të kalohet një ditë nga djali i tij Novak, madje ai shkoi përtej në komentet e tij duke shtuar se tenisti zviceran ka marrë fund dhe duhet të kujdeset për familjen e tij. Një deklaratë që bëri shumë përshtypje dhe shkaktoi në mënyrë të kuptueshme reagime shumë të ashpra, megjithëse kjo është një gjë që nuk ndodh për herë të parë dhe nga kampi i 33-vjeçarit ka patur gjithmonë komente të tilla plot helm, për rivalët apo kundërshtarët e Noles.

Vitin e kaluar Federeri triumfoi në Dubai, Miami, Halle dhe Basel, për më tepër pavarësisht moshës veterani helvet ia ka dalë vazhdimisht për t’u kualifikuar për në fazat gjysmëfinale apo çerekfinale të turneve të Grand Slam-it, pa harruar gjithashtu edhe faktin që me 106.3 milionë dollarë Roger u shpall nga revista prestigjioze amerikane Forbes edhe si sportisti më i paguar në glob, duke lënë prapa emra të tillë si Cristiano Ronaldo, Lionel Messi, Neymar apo dhe LeBron James.

Ndeshja e fundit për 38-vjeçarin ishte pikërisht gjysmëfinalja në Melbourne Park me Nolen, ndërsa më pas Federeri iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për të shmangur problemet në gju. Roger ka deklaruar se do të rikthehet në muajin janar, gjithsesi një rrugëtim të ngjashëm ai ndoqi edhe në vitin 2016, kur u tërhoq nga gjysma e dytë e sezonit, për t’u kthyer më pas me dy trofe në Australian Open dhe Wimbledon. Numri 4 i botës deklaroi për gazetën gjermane Zeit se i mungojnë ndeshjet, përpara fansave të tij të shumtë. Federeri e mbylli fjalën e tij duke shpjeguar se do të përpiqet të tregohet i matur dhe tepër i duruar, duke marrë në këtë mënyrë kohën e duhur për t’u riaftësuar plotësisht, për të qenë kështu në gjendje për t’u matur me më të mirët e këtij sporti. /SS/