Porositën picë, u tmerruan kur e hapën kutinë

Shpërndaje

Kur Misty Laska në Middleburg Heights të Ohajos hapi kutinë prej kartoni me picën brenda, gjëja e parë që vuri re ishte se pica nuk ishte e prerë.

Pastaj ajo dhe i shoqi panë se copat e sallamit ishin vendosur në formën e një swastike, simboli i nazizmit.

Të dy qëndruan në heshtje për një çast përpara picës që vinte nga një dyqan i kompanisë Little Ceasars.

Të tronditur nga simboli nazist, ata provuan ta kthejnë picën, por nuk morën përgjigje. Dyqani ishte mbyllur.

Little Ceasars, biznesi i tretë më i madh në botë i picave, i kontaktoi ata të nesërmen për të kërkuar falje.

“Ne kemi zero tolerancë për racizmin dhe diskriminimin në cilëndo formë, dhe punonjësit e dyqanit që dërgoi picën u hoqën menjëherë nga puna. Kjo sjellje është krejtësisht kundër vlerave tona,” tha kompania në përgjigje të një kërkese për koment.

Dyqani i tha zonjës Laska se punonjësit e kishin bërë picën si shaka dhe në asnjë mënyrë për ta shitur. I shoqi i saj, Jason, e bleu pak përpara se dyqani të mbyllej.

Ajo tha se heqja e punonjësve nga puna nuk mjaftonte, duke patur parasysh se sa e rëndë ishte shakaja, por nuk dinte të thoshte se çfarë mund të bënte tjetër.

“Kjo lloj urrejtjeje që po përhapet dhe nuk po merret seriozisht është arsyeja se përse bota po bëhet kaq e përçarë,” shtoi ajo.

“Në klimën e sotme një gjest si i tillë është krejtësisht i papranueshëm. Shpresoj që të dy personat përgjegjës të nxjerrin një mësim. Përhapni dashuri dhe jo urrejtje,” tha ajo.