ASH: BDI rrezikon qytetarët, Prokuroria të reagojë për krismat në tubimin e Çairit

Shpërndaje

Pas video incizimit nga tubimi i BDI-së, reagoi Aleanca për Shqiptarët. Partia opozitare shqiptare dënon ashpër përdorimin e armëve dhe kërkon nga Prokuroria të ngrit hetim për veprën penale “Përdorim i paautorizuar i armëve të zjarrit në tubime publike”. Gjithashtu kërkojnë përgjegjësi edhe nga organizatorët e tubimit, pra partinë në pushtet për rrezikun që u kanosej qytetarëve nga plumbat e hedhur në ajër.

Reagimi i plotë nga Aleanca për Shqiptarët:

BDI derisa premton jetë proklamon vdekje në hapjen e shtabit në Çair! Armët simbolizojnë vdekjen dhe pikërisht hapja e shtabit me të shtëna armësh nga ana e militantëve të BDI-së flet për mënyrën se si kjo parti synon fitoren; me kërcënime, presione, manipulime e frikë!

Dënojmë ashpër përdorimin e armëve dhe kërkojmë nga Prokuroria të ngrit hetim për veprën penale përdorim i paautorizuar i armëve të zjarrit në tubime publike. Kërkojmë përgjegjësi edhe nga organizatorët e tubimit, pra partinë në fjalë për rrezikun që u kanosej qytetarëve nga plumbat e hedhur në ajër.

Fatkeqësisht praktika e deritanishme tregon se ne kemi pasur shumë raste të plagosur apo të vrarë edhe nga plumbat qorre, prandaj nuk guxojmë të lejojmë raste të tilla të ndodhin dhe të kalojnë pa u dënuar!, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.