Kurti për mediumin kroat: Protestuesit serbë në Jarinjë e Bërnjak po paguhen nga Serbia

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë që Kosova nuk është shkaktari i situatës së krijuar në veri, por sipas tij, është Serbia dhe presidenti i saj Aleksandar Vuçiq.

“Pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak janë në krizë jo për shkak të serbëve, por për shkak të presidentit të Serbisë”, ka thënë Kurti në një intervistë për televizionin kroat HRT, përcjell Klankosova.tv.

“Ne ende kemi probleme me Serbinë. Kosova nuk është problemi këtu, është Serbia, veçanërisht presidenti i atij vendi, që mendon e flet si në vitet 90-ta të shekullit të kaluar”.

Tutje Kurti ka thënë se mbi 11 mijë automjete morën targat e përkohshme të Kosovës, që kur është vendosur reciprociteti me targa ndaj Serbisë.

Sipas tij, protestuesit serbë paguhen nga Serbia.

“Disa prej tyre kanë një dosje të aktiviteteve kriminale në të kaluarën, ata kanë pikëpamje ekstreme për politikën dhe botën. Disa prej tyre gjithashtu morën pjesë në tentim grusht-shteti në Mal të Zi pesë vjet më parë”, thotë Kurti.

Kurti ka thënë me anë të veprimeve të tij Vuçiqi po “synon që të nxisë një konflikt ndërkombëtar”.

“Sjellet ministri i Mbrojtjes në kufi me Kosovën, së bashku me ambasadorin rus në Serbi dhe me atasheun e Mbrojtjes së Rusisë në Beograd. Në të njëjtën ditë ata i vunë zjarrin një ndërtese në Zubin Potok. Gjithashtu aeroplanët ushtarakë MiG-29 sillen rreth Kosovës, po ashtu automjete të blinduara e prodhuara në Rusi i afrohen kufirit. Por ata erdhën me një arsenal ushtarak në kufijtë e vendit tonë. Forca tona speciale janë atje, si në Bërnjak ashtu edhe Jarinjë. Të mos harrojmë, se në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, ata dogjën pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak”, u shpreh ai.