Krerët e UÇK-së në Hagë, Gucati dhe Haradinaj: Jemi të pafajshëm!

Shpërndaje

Këtë të enjte u hap procesi gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj në Gjykatën e Posaçme të Kosovës në Hagë. Dy udhëheqësit e shoqatës u deklaruan të pafajshëm ndaj akuzave të prokurorisë se përfshijnë pengimin e drejtësisë, frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ndërkohë, organi i akuzës u shpreh se dy zyrtarët janë munduar të pengojnë hetimet duke publikuar dokumentet konfidenciale.

“Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u organizuan në bashkërendim për shpërndarjen e paautorizuar të informacionit të besueshëm dhe jo publik, duke marrë një vendim nëse ose se si të shpërndahen, duke organizuar dhe duke marr pjesë në konferencat për shtyp dhe paraqitje publike ku informacioni i besueshëm dhe jo publik është përhapur dhe diskutuar publikisht.”

Organizata e Veteranëve të Luftës pretendon se kishte marrë mijëra dosje të Gjykatës së Posaçme nga persona ende të paidentifikuar, të cilat vertetojnë bashkëpunimin e dhomave të specializuara me autoritetet e Beogradit.

Aktualisht në Hagë ndodhen edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i PDK-së , Kadri Veseli, ish-shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ish-kryetari i parlamentit, Jakup Krasniqi, si dhe dy ish-pjesëtarë të UÇK-së, Salih Mustafa dhe Pjetër Shala. Të gjithë janë të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Më 15 shtator u hap procesi i parë gjyqësor për krime lufte, ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.