Nazim Taipi nga Tearca: Jam i bindur në fitoren, kemi program konkret për ta përmirësuar jetën e qytetarëve

Shpërndaje

Nga Tearca e tij, aty edhe ku synon që të bëhet kryetar, Nazim Taipi, u shpreh i bindur në fitoren e tij. Mbështetja tha do të jetë e pastër dhe votat në ditën e 17 tetorit do të jenë pastër.

“Ne do të fitojmë sepse i kemi projektet e kemi vendosshmërinë, e kemi dijen e kemi ndershmërinë. Ne jemi të këtij nëqielli, jemi takuar shpesh herë më parë. Do të diskutojmë për hallet e komunës, kërkesat e popullatës, sepse qeverisja e keqe për 16 vite vetëm se i ka rënduar ato”, deklaroi kandidati i opozitës shqiptare për komunën e Tearcës, Nazim Taipi.
Taipi tha se ka vendosur të jetë pjesë e ndryshimit ngase mendon se në këtë komunë mund të ndodhin gjëra të mira në të mirë të qytetarëve, ndërsa këto mundësitë nuk janë shfrytëzuar nga pushtetet e kaluara.

“Së bashku me ju do të bëjmë sigurt ndryshimin, do të bëjmë ndryshimin sepse duhet tu thuhet mjaft atyre që premtojnë shumë e nuk realizojnë asgjë. Nuk mund të vazhdohet përpara me ata që nuk i mbajnë premtimet. Nuk mund të zhvillohemi me ata parti që kanë dështuar”, deklaroi mes tjerash Taipi.

Ai tha se në vitin 2021 atij i vjen turp që komuna e Tearcës nuk ka një menaxhim të mbeturinave dhe janë lënë ato tek dera e shtëpisë.

Sipas tij me 17 tetor me Aleancën për Shqiptarët dhe Alternativën, do të fitojnë njerëzit që e duan punën dhe që dinë të punojnë.

“Ne kemi përgatitur një program me projekte konkrete. Nuk flasim në teori, ne kemi zgjidhje reale për problemet. Ne nuk premtojmë, ne planifikojmë dhe punojmë”, deklaroi Taipi./in7.tv/