Turqia kërkon të blejë 40 avionë amerikanë F-16

Shpërndaje

Turqia ka kërkuar të blejë nga SHBA 40 avionë luftarakë F-16 të ”Lockheed Martin”, sipas agjencisë britanike të lajmeve, Reuters, që citon revistën greke “Defence Review” si edhe burime anonime.

Kërkesa e Ankarasë do të vlerësohet dhe miratohet nga Departamenti i Shtetit dhe Kongresi, edhe pse për momentin nuk ka asnjë koment zyrtar nga pala turke apo amerikane.

Më 1 tetor, ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar kishte pasur një bisedë telefonike me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd James Austin për të diskutuar forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Prej vitesh, janë krijuar tensione midis Ankarasë dhe Uashingtonit për shkak të blerjes nga ana e Turqisë të raketave të prodhimit rus ”S-400”, e cila e shtyu atë SHBA të sanksionojë Turqinë dhe ta përjashtojë atë nga programi prodhimit të avionëve luftarakë F-35.

Në fund të shtatorit, presidenti turk Recep Tayiip Erdogan kishte shprehur synimin e tij për të blerë një dërgesë të re të ”S-400” nga Rusia, një nismë që sipas Departamentit të Shtetit do të shkaktonte sanksione të reja.