Erdoğan: Kundër terrorizmit nuk luftohet me fjalë, por me vepra
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan në një fjalim në Samitin “Kuala Lumpur 2019” në Malajzi deklaroi se “kundër terrorizmit nuk luftohet me fjalë por me vepra”, raporton Anadolu Agency (AA).
Erdoğan mori pjesë në sesionin me temë “Roli i zhvillimit në fitimin e sovranitetit kombëtar” në kuadër të takimit të tryezës së rrumbullakët në forumin me temë “Përparësitë dhe vështirësitë e zhvillimit” që u organizua në kuadër të Samitit “Kuala Lumpur 2019”. Pas fjalimit të tij Erdoğan iu përgjigj pyetjeve të pjesëmarrësve.
Pas një pyetjeje lidhur me situatën në Libi, Erdoğan tha se “Fuqitë imperialiste mbështesin gjeneralin puçist Khalifa Haftar në Libi i cili nuk ka legjitimitet ndërkombëtar ndërsa nuk ofrojnë mbështetje për kreun e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) Fayez al-Sarraj i cili është legjitim”. Erdoğan theksoi se Turqia ndodhet në anën e Sarraj dhe se jep çdo mbështetje që ka mundësi ndaj tij.
Ai shtoi se një situatë e ngjashme është edhe në Siri. “Në Siri ndodhen organizata terroriste të tilla si YPG/PKK të cilat u përpoqën të formonin korridorin terrorist në veri të Sirisë. Sërish edhe pas kësaj organizate qëndrojnë fuqitë imperialiste të cilat kanë dërguar 32-33 mijë maune me armë, municione, mjete dhe pajisje për këto organizata terroriste. Përveç këtyre janë edhe ndihmat e dërguara me avionë të cilat janë armatime e municione që vijnë të gjitha falas pa pagesë”, tha Erdoğan.
Presidenti turk tha se gjatë luftës kundër këtyre, nga Siria në Turqi kanë ardhur rreth 4 milionë refugjatë. “Ne themi se do të ndërtojmë vende ku këta vëllezër refugjatë të mund të strehohen në vendet e tyre. I kemi bërë thirrje botës ashtu sikurse edhe të gjithë botës islame. Por, bota nuk ka preferuar ndërtimin e një zone të tillë të sigurtë për vëllezërit tanë refugjatë. Amerika e solli në rend dite çështjen e zonës së sigurtë. Unë ua paraqita atyre çështjen e zonës së sigurtë. Në të njëjtën mënyrë e solla në rend dite edhe për liderin e tyre të mëparshëm”, tha Erdoğan duke shtuar:
“Dinë të flasin, por kur u themi të ndërtojmë një zonë të sigurtë, ato nuk japin ndonjë mbështetje, por kur bëhet fjalë për armë, këtu dërgohen armët. Kujt u vijnë armët? Organizatave terroriste. Kur bëhet fjalë për luftë kundër terrorizmit thonë se ‘duhet të luftojmë kundër terrorizmit‘. Si do të luftojmë kundër terroristëve? Kundër terrorizmit nuk luftohet me fjalë, por me vepra”.
Erdoğan ndër të tjera ka shtruar pyetjet “Bota islame është shumë e varfër? Muslimanët janë shumë të varfër? Përse nuk zjgasin dorën e ndihmës, përse nuk ofrojnë mbështetje?
“Sikur të japin vetëm zekatin, nuk do të mbesë asnjë i varfër. Aktualisht nga Idlibi drejt territorit tonë po vijnë sërish 50 mijë njerëz. Ndërkohë, strehojmë 4 milionë, po vijnë edhe 50 mijë të tjerë. Ndoshta kjo shifër do të rritet edhe më shumë. Parashtrohet pyetja ‘Si i përballon Turqia këto‘? Ndërkohë kemi kryer shpenzime mbi 40 miliardë dollarë. Për këtë nuk ka as ndonjë mbështetje serioze nga Komisioneri i OKB-së për Refugjatët dhe as Bashkimi Evropian nuk mban premtimet e tij. Askush nuk përmbush premtimet e tij. Ndërsa në anën tjetër shikoni Liga Arabe mblidhet dhe thotë ‘ndërpritni marrëdhëniet me Turqinë‘. Ne kë e pranuam. Ku i kemi pranuar 3.7 milionë vëllezër sirianë, arabë. I kemi pranuar në Turqi. Përse i kemi pranuar? Sepse ata largoheshin nga bombat fuçi, a nuk do t’i merrnim, i morëm”, nënvizoi Erdoğan.
Pas takimit në prani të presidentit Erdoğan, presidentit iranian Hasan Rouhani dhe kryeministrit malajzian Mahathir Mohamad kanë nënshkruar marrëveshje të vullnetit të mirë ndërmjet qeverive.
Pas nënshkrimeve, Erdoğan dhe liderët kaluan në takimin që do të zhvillojnë me dyer të mbyllura.